“Alo, djali juaj bëri aksident dhe rrezikon burgun” – Skema e tmerrshme që i mori 35 mijë euro të moshuarit, shqiptarja dënohet me 5 vite burg!
Një 31-vjeçare shqiptare është dënuar me pesë vite burg nga një gjykatë në Greqi, pasi mashtroi një të moshuar grek duke i marrë 35 mijë euro me pretekstin se djali i tij ishte përfshirë në një aksident fatal.
Ngjarja ka ndodhur më 25 janar, kur i moshuari, banues në ishullin e Ko, mori një telefonatë nga një person i panjohur, i cili i tha se djali i tij kishte shkaktuar një aksident me pasojë vdekjen e një shqiptari. Për të shmangur denoncimin në polici dhe për të “zgjidhur” çështjen me familjarët e viktimës, i panjohuri i kërkoi 80 mijë euro.
I moshuari, i tronditur nga lajmi, nuk u përpoq të verifikonte informacionin dhe menjëherë pranoi të dorëzonte 35 mijë eurot që kishte në dispozicion. Ai u takua me mashtruesit dhe ua dha shumën e kërkuar, pa e kuptuar se kishte rënë pre e një skeme të mirëorganizuar mashtrimi. Vetëm pasi dorëzoi paratë, kontaktoi me të birin dhe kuptoi se ishte mashtruar.
Pas denoncimit në polici, 31-vjeçarja shqiptare u identifikua dhe u arrestua, ndërsa policia arriti të gjejë dhe sekuestrojë shumën e parave të përfituara nga mashtrimi. Gjykata greke e shpalli fajtore dhe e dënoi me pesë vite burg.