Alibeaj mbledhje në “selinë” e re, zbulohet vendimi më i fundit
Enkelejd Alibeaj ka thirrur mbledhjen e parë që zhvillon në ambientin e ri të PD-së. Mbledhja ka nisur rreth orës 16:00 dhe aktualisht anëtarët e grupit parlamentar janë duke diskutuar rreth listës së kandidatëve që do të ketë grupimi Alibeaj për këshillin bashkiak.
Grupet e punës që përbëjnë kryesinë e PD zyrtare janë duke diskutuar rreth listës që do t’u prezantojnë qytetarëve për kandidat për këshillat bashkiak dhe më pas pritet që të ketë një diskutim për kandidatët për kryebashkiak. Deri më tani janë bërë të ditura rreth 17 kandidatura për 14 Maj.
Burimet brenda mbledhjes së grupit theksojnë se po diskutojnë parimin nëse PD zyrtare do të dalë me kandidat në të gjitha bashkitë apo do të ketë bashki ku nuk do të nxjerrin kandidat apo do të kenë një listë të plotë sa i përket këshillave bashkiakë.
Sipas informacioneve, Alibeaj ka thënë se PD zyrtare do të ketë kandidat për kryebashkiak për Tiranën ndërkohë që në diskutim janë Durrësi dhe Elbasani. Ka pasur diskutime nëse duhet apo nuk duhet të ketë kandidat tjetër përveç atyre të Foltores së Sali Berishës.