Ali Ahmeti mesazh për qytetarët e Kosovës: Mos e lini Kosovën në të njëjtën pako me Rusinë dhe Bjellorusinë!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët e Kosovës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Ahmeti i bëri thirrje qytetarëve që të shprehin vullnetin e tyre të lirë në zgjedhje dhe të mos lejojnë që Kosova të përfshihet në të njëjtën kategori me vende si Rusia dhe Bjellorusia, të cilat ndodhen nën sanksione ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, Ahmeti ka shprehur shqetësimin për deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe poshtëruese.

“Kam pasur një shqetësim për ndërhyrjen e kryeministrit të Kosovës rreth gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ndërhyrja e tij ishte e pabazë dhe poshtëruese. Ishte aq e rëndë sa më vinte me plas kur dëgjoja antishqiptarët të thoshin: ‘Ja, kryeministri i Kosovës thotë që gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.’ Gjuha shqipe është zyrtare dhe këtë e dokumenton marrëveshja e Ohrit, me firmën e SHBA-së dhe BE-së,” tha Ahmeti.

Ai u shpreh se Kosova duhet të ruajë dhe forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-në dhe NATO-n, pasi pa përkrahjen e tyre nuk mund të ketë avancim ndërkombëtar. Ahmeti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët strategjikë për të siguruar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si OKB.

“Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë në dorë fatin e vendit. Me votën e tyre ata do të vulosin të ardhmen. Kosova nuk mund të ecë përpara pa mbështetjen e Amerikës dhe NATO-s,” përfundoi Ahmeti.

Zgjedhjet parlamentare të Kosovës konsiderohen vendimtare për të ardhmen politike të vendit, me vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe rajonit mbi rezultatin që do të përcaktojë drejtimin e
mëtejshëm të Kosovës.