Albin Kurti merr pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë
Qeveria e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Albin Kurti po merr pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë.
Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha se, në mesin e aktiviteteve, Kurti do të takojë edhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. “Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha Kryeziu.
Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim. Vuçiç, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.
Bashkimi Evropian përmendi Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim. Të dy liderët ishin të ftuar në forumin e sigurisë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Nga ana tjetër ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka deklaruar se nuk ka struktura të organizuara, nuk ka banda të organizuara kriminale, pjesëtarë të të ashtuquajturit grup Wagner, apo të rinj që siç thotë Prishtina që duan të djegin çdo gjë që nuk është serbe.
“Këtu janë qytetarët e Komunës sonë të Zveçanit, vëllezërit nga Mitrovica e Veriut”, tha Milloviq, pas akuzave të autoriteteve të Kosovës se “strukturat e organizuara kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi zyrtar, janë përgjegjëse për trazirat në veri. Ai tha se këto protesta nuk janë kundër KFOR-it dhe se i vjen keq për, siç tha, “konfliktin e imponuar” dhe “për atë që ndodhi”.