Albin Kurti: Kosova nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim në KiE

Kryeministri Albin Kurti gjatë adresimit të tij në mbledhjen e Qeverisë konfirmoi se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është duke u kushtëzuar me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti tha se janë disa kryeqytete evropiane të cilat po kërkojnë që draft statuti i Asociacionit i propozuar nga evropianët të pranohet nga Qeveria dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

“Në këto javët e fundit u përballëm me një kusht të ri i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë. Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatë Kushtetuese (tokat e Manastirit të Deçanit), kusht i cili hyn në shtyllën e sundimit të ligjit në kuadër të Këshillit të Evropës, ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti (draft statuti i Asociacionit) në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”.

Kurti u shpreh se kanë kërkuar që draft statuti të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm, por që u refuzuar nga Serbia.

“Ky dokument i sjellë nga Lajçak dhe emisarët e QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që të bëhej pjesë e marrëveshjes bazike dhe të nënshkruhej që të bëhej ligjërisht i zbatueshëm, por u refuzua nga Serbia. Nëse më 26 tetor 2023 do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Draft statuti i Lajçakut dhe të dërguarve të QUINTI-t dështoi të realizohej se u refuzua”.

Ai tha se vetëm me nënshkrim do të mund të pranohej dhe të dërgohej ky dokument në Gjykatë Kushtetuese. Kurti këmbënguli se draft statutin nuk e kanë pranuar dhe si i tillë ky dokument mund të quhet thjesht “non paper”.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese, kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”

Kryeministri Kurti kujtoi se instancat e Këshillit të Evropës e kishin refuzuar tri herë gjatë procesit të votimit që Asociacioni të bëhet pjesë e kushteve për anëtarësim. Ai shprehu zhgënjimin që ky kushtëzim po vjen nga vende që e kanë mbështetur Kosovën.

“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonin nga shtetet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por asesi e asnjëherë nuk e mendonin që pengesë do të bëheshin shtete demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësi”.

Kryeministri u shpreh se “Qeveria ka bërë gjithçka ka në dorën e saj për të përmbushur të gjitha obligimet dhe se ishin zotuar edhe me një letër se do të kryenin të gjitha obligimet e dialogut me Serbinë pas anëtarësimit”. Sipas tij, më shumë se kaq nuk kanë mundësi të bëjnë.

Kosova aplikoi në vitin 2022 për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe, muajin e kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi që Kosova të pranohet në këtë organizatë. KiE – lidere në Evropë për të drejtat e njeriut mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.