Albin Kurti kërkon hapjen e arkivave të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë/”Nuk ka kufomë, nuk ka krim”, ishte strategjia e Serbisë

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  kërkoi hapjen e arkivave të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, e sipas tij për këtë duhet edhe ndihma e ndërkombëtarëve.

‘‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve mbi shqiptarët”, tha kryeministri Kurti.

Sipas tij, kjo strategji po vazhdon edhe sot, ndërsa përmendi se kanë dërguar edhe disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37, pasi siç tha ai ajo është përgjegjëse për disa masakra në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës.

Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarë politikë të Millosheviçit në Beograd. Këtë javë pas shumë përpjekjeve kanë filluar përgatitjet për gërmime në Serbi, në Kozhle. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. Andaj ne edhe sot e përsërisim kërkesën tonë, për hapjen e arkivave në Serbi, në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj 2023. Tashmë kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës”, tha kreu i Qeverisë së Kosovës.

Kurti theksoi se Qeveria është e përkushtuar për të kërkuar drejtësi për viktimat.