Albert Veliu rishfaqet pas shtatë vitesh/ Kam ende provat origjinale për çështjen “Babalja’”
Pas gati shtatë vitesh mungesë, Albert Veliu, i njohur gjerësisht si “Babalja,” është rishfaqur dhe deklaron se ai ka ende në zotërim të gjitha provat origjinale të çështjes që përfshiu në akuza ish-deputetin demokrat Ervin Salianji.
Veliu, në një video të publikuar së fundmi, shprehet se Salianji po vuan dënimin pa faj, ndërsa shton se denoncimi i tij lidhur me përfshirjen e vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj, në aktivitet të paligjshëm, ka qenë i drejtë.
Në këtë deklaratë, Veliu akuzon Fredi Alizotin, duke thënë se ky i fundit është përdorur nga Partia Socialiste për të manipuluar provat. Ai thotë se Alizoti ka pranuar të deklarojë se audiopërgjimi ishte i inskenuar në këmbim të një shpërblimi financiar. “I kanë dhënë lekë si barbon, si drogaxhi që është,” deklaron Veliu, duke shtuar se Salianji është viktimë e këtij manipulimi.
Veliu pretendon gjithashtu se zotëron një USB origjinale me prova të cilat, sipas tij, përfaqësojnë “garancinë” e tij për mbrojtje. “USB-në origjinale e kam unë, të gjitha i kam unë, i kam me fakte e me zë. Atë nuk e jap gjallë në botë,” thotë ai, duke paralajmëruar se nëse ndodh diçka me të, ai është i gatshëm të publikojë të gjitha provat.
Albert Veliu u bë i njohur si “Dëshmitari X” në dosjen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, pasi kishte pretenduar një marrëdhënie miqësore me Geron Xhafaj dhe kishte përfshirë këtë të fundit në audiopërgjime ku flitej për trafik droge. Rasti u përfshi në një hetim të gjerë që përfundoi me dënimin e Salianjit, ndërsa Alizoti deklaroi para prokurorëve se audiopërgjimi ishte i montuar.
Në dëshminë e tij të mëparshme, Veliu kishte përmendur se ka pasur përvojë në Itali, ku ka punuar dhe jetuar deri në vitin 2002.