“Albania All Senses” shkëlqen në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Spanjë

Shqipëria ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Spanjë, falë stendës “Albania All Senses”. Kryeministri Edi Rama ka ndarë përshtypjet nga kjo ngjarje përmes një video-kartoline, ku vizitorët shprehen të impresionuar nga potencialet turistike të vendit tonë.

“Shqipëria është në listën time. Dua të eksploroj plazhet dhe verën e këtij vendi të jashtëzakonshëm,” tha një vizitore, ndërsa një tjetër theksoi dëshirën për të vizituar Shqipërinë dhe për të njohur kulturën dhe natyrën e saj unike.

Sipas organizatorëve të FITUR, stenda e Shqipërisë ishte një ndër më tërheqëset e panairit, duke u shndërruar në një pikë referimi për vizitorët. Kryeministri Rama e cilësoi këtë interes si një premtim për një tjetër vit të suksesshëm turistik për vendin.

Panairi FITUR, një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë së turizmit, është një platformë kyçe për promovimin e Shqipërisë si një destinacion i veçantë dhe i pasur me mundësi për turistët nga e gjithë bota.