ALARMI/ Shqipëria ndër vendet me cilësinë më të ulët të arsimit të lartë në Europë dhe Azi!
Shqipëria renditet ndër vendet me cilësinë më të ulët të arsimit të lartë nëEuropë dhe Azinë Qendrore.
Alarmi vjen nga Banka Botërore, e cila thekson se vendi ynë, ashtu si edhe rajoni ku bën pjesë, përballet me sfida të thella në sistemin universitar.
Sipas raportit, mungesa e financimit, kurrikulat e vjetruara dhe ndikimi i politikës dhe interesave private janë ndër arsyet kryesore që po cënojnë cilësinë akademike në universitetet shqiptare.
Universitetet pa investime moderne dhe pa lidhje me tregun e punës po përgatisin të rinj të papërgatitur për realitetin ekonomik. Po ashtu, infrastruktura e dobët dhe mungesa e kërkimit shkencor po e thellojnë më tej hendekun me vendet e zhvilluara.
Në raport ngrihet shqetësimi për rënien e përparimit ndërbrezor, duke theksuar se fëmijët sot kanë më pak gjasa të jenë më të arsimuar se prindërit e tyre, një sinjal i qartë regresi.
Banka Botërore paralajmëron se nëse nuk merren masa urgjente për përmirësimin e arsimit të lartë dhe lidhjen e tij me tregun e punës, vende si Shqipëria nuk do të mund të arrijnë statusin e një shteti me të ardhura të larta brenda një apo dy brezash.
Krahas Shqipërisë, në listën e vendeve me performancë të dobët në arsim janë përfshirë, Maqedonia e Veriut, Bosnja Hercegovina, Armenia dhe Azerbajxhani.
Banka Botërore kërkon reforma në financim, kurrikula, infrastrukturë dhe depolitizimin e arsimit për të kthyer universitetet në qendra të vërteta dijesh dhe zhvillimi.