Alarmi në Astir, shpallen në kërkim 5 persona! Policia: Mbajtën të mbyllur 21-vjeçaren në apartamentin e marrë me qira
Policia e Tiranës ka vijuar hetimet për rastin e Sajma Qordaj, e cila kërkoi ndihmë në momentin kur ndodhej e mbyllur në katin e tetë të një pallati në zonën e Astirit.
Pas veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim pesë shtetas të lidhur me këtë ngjarje.
Në kërkim janë shpallur:
•S. S., 29 vjeç
•A. A., 36 vjeç
•O. A., 31 vjeç (të gjithë banues në Tiranë)
•J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë
•A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.
Dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q. në një apartament të marrë me qira për qëllime të paligjshme. Gjatë kontrolleve në një tjetër apartament të marrë po ashtu me qira, forcat e Policisë gjetën dy armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do të shërbejnë për hetimin e mëtejshëm.
Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar shtetas të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet proceduriale janë kaluar në Prokurori për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.