Alarmi i rremë për bombë në Kuvendin e Kosovës, policia: Thirrja u bë nga një numër serb
Një alarm i rremë për bombë ka shkaktuar kaos në Kuvendin e Kosovës të shtunën në mëngjes, duke detyruar evakuimin e objektit dhe shtyrjen e seancës për konstituimin e Kuvendit, e cila ishte tentativa e 42-të për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Policia e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se kjo kërcënim u bë përmes një thirrjeje telefonike, e cila dyshohet të ketë ardhur nga një numër serb. Thirrja u bë pak para nisjes së seancës parlamentare, duke ngritur alarmin për një mjet shpërthyes në ambientet e Kuvendit.
Në vijim, forcat e sigurisë kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për evakuimin e ndërtesës dhe kontrollin e plotë të saj, i cili zgjati rreth tre orë e gjysmë. Pas përfundimit të verifikimeve, është konfirmuar se alarmi ishte i rremë.
“Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimi ka ardhur përmes një numri telefoni që dyshohet se është nga Serbia,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Hetimet për ngjarjen janë në vijim, ndërsa autoritetet kosovare janë në komunikim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, për të identifikuar me saktësi origjinën e thirrjes dhe rrjetet e komunikimit të përdorura në këtë rast.