“Alarmante për ekonominë, rënia e importeve dhe eksporteve”, Meta: Niveli i papunësisë te moshat e reja, shqetësues! Qeveria asnjë vëmendje
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se zhvillimi ekonomik e social në muajt e fundit, tregon një përkeqësim të vazhdueshëm për sa i përket modelit ekonomik, të dominuar nga ndërtimi, nga rënia e eksporteve për shkak të mbiçmimit të lekut, të vazhdimit të nivelit të lartë të papunësisë për moshat e reja, të inflacionit të vazhdueshëm në çmimet e larta të artikujve ushqimorë, dhe të përkeqësimit të treguesve demografik.
Meta tha se është alarmante për ekonominë, rënia e theksuar e importeve dhe eksporteve.
“Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi një rritje prej vetëm 3.23 % në tremujorin e dytë të vitit 2023.
Sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme mbeten kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike, në rreth 67% te rritjes ekonomike.
Ky është një tregues në vazhdimësi i modelit ekonomik aktual jo të qëndrueshëm i cili nuk mbështetet në sektorët e rëndësishëm dhe afatgjatë të ekonomisë si bujqësia, industria, manifaktura, energjia, uji, etj.
Kontributi i Bujqësisë në rritjen ekonomike është në rënie me -0.03%.
Ndërsa kontributi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit, mbetet me shume negativ ne tremujorin e dyte te vitit 2023, ne -0.31%.
Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, kontributi i këtij sektori (ku përfshihet dhe Turizmi) ne rritjen ekonomike ne tremujorin e dyte te vitit 2023 mbetet fare modest ne vetëm 0.19%.
Ajo që duhet theksuar si alarmante për ekonominë, është kontributi negativ i eksporteve dhe importeve te mallrave, të cilat kane rënie të theksuar”, deklaroi Meta.
Ai theksoi se eksportet e mallrave në Tremujorin e II të vitit 2023 kanë treguar në vazhdimësi një rënie, tregues i qartë i krizës së sektorit të eksporteve.
“Në Gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke u ulur me -21,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -27,4 %, në krahasim me Korrik 2023.
Importet e mallrave arritën vlerën 68 miliardë lekë, duke u ulur me -15,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe me -4,1 %, në krahasim me Korrik 2023.
Në tetë muajt e vitit 2023 totali i eksporteve të mallrave është ulur në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022, nga 328 miliardë lekë në vitin 2022 në 300 miliardë lekë në vitin 2023”, u shpreh kreu i PL.