Alarm në Thumanë, murtaja prek një tufë me 100 dele, pritet asgjësimi i tyre

Sëmundja e murtajes së bagëtive të imta ka prekur zonën e Thumanës në Krujë, duke ngritur alarmin tek autoritetet veterinare. Sipas informacioneve të para, në një fermë të zonës janë identifikuar rreth 100 krerë dele të infektuara me këtë sëmundje të rrezikshme, ndërsa pritet që këto bagëti të asgjësohen për të frenuar përhapjen e saj.

Inspektorët e shërbimit veterinar janë vënë në lëvizje pasi u njoftuan nga vetë pronari i fermës, i cili konstatoi shenjat e infeksionit tek bagëtitë. Pas marrjes së kampioneve dhe analizave laboratorike, është konfirmuar prania e murtajes në tufë.

Dyshimet janë se sëmundja mund të ketë prekur edhe tufa të tjera në zonë, megjithatë deri tani nuk ka konfirmime zyrtare për raste të reja.