Alarm në aeroportin e Athinës! Tym në kabinën e pilotit, avioni me 150 pasagjerë bën ulje emergjente

Një situatë alarmante është regjistruar sot në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” të Athinës, kur një avion Airbus me 150 pasagjerë në bord u detyrua të kryente një ulje emergjente.

Sipas informacioneve të para nga ERT, avioni që kryente fluturimin Athinë – Riga, i operuar nga kompania çarter Carpatair për llogari të AirBaltic (fluturimi BT6162), kontaktoi me kullën e kontrollit dhe kërkoi leje për ulje emergjente, pasi u raportua tym në kabinën e pilotit pak pas ngritjes.

Avioni u kthye menjëherë në drejtim të aeroportit dhe bëri ulje të sigurt në zonën e Spatës, ndërkohë që sipas të dhënave nga Flightradar24, fillimisht ishte drejtuar nga verilindja përpara se të ndryshonte kursin.