Akuzohet për vrasje në Itali, bie në pranga 30-vjeçari në Fier! Pritet ekstradimi i tij

Policia e Fierit ka vënë në pranga Dhimitraq Xhoku alias Hoxhara, 30 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për vrasje, plagosje dhe armëmbajtje pa leje.

I riu, banues në Levan, u arrestua si rezultat i operacionit policor të koduar “Palermo”, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Interpol Tiranën.

Gjykata e Palermos kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” më 12 gusht 2024, për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Sicili, më 4 qershor 2023. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasin S. R. dhe ka plagosur një tjetër person.

Pas arrestimit, 30-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Italisë, ku do të përballet me drejtësinë.