Akuzohet për korrupsion, SPAK përfundon hetimet për ish-kryeinspektorin e IMT, dërgon dosjen për gjykim

SPAK ka përfunduar hetimet për ish-kryeinspektorin e IMT, Andri Mehja, i cili akuzohet për korrupsion dhe ka dërguar dosjen për gjykim në GJKKO.

Njoftimi i SPAK:

SPAK dërgon për gjykim ish-Kryeinspektorin e Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Elbasan për korrupsion pasiv

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit Andri Mehja, ish-kryeinspektor i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Elbasan, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Hetimet për procedimin penal nr. 92 të vitit 2024 kanë zbuluar se më 15 prill 2024, brenda së njëjtës ditë, i pandehuri ka firmosur dy vendime administrative:

Vendimi nr. 12, për prishjen e një objekti të kundërligjshëm të kundravajtësit V.N., – një tendë me konstruksion metalik dhe mbulesë sanduiç – në fshatin “Katund i Ri”, njësia administrative Bradashesh.

Vendimi nr. 13, për dënimin me gjobë ndaj të njëjtit kundravajtës, në vlerën e 500,000 lekëve.

Më pas, sipas hetimeve, i pandehuri Andri Mehja, duke shfrytëzuar detyrën e tij ka kërkuar dhe marrë prej shtetasit V.N. një përfitim të parregullt financiar prej 250,000 lekësh, në këmbim të uljes së masës administrative nga 1,750,000 lekë në 500,000 lekë.