Akuzat për vrasjen e Fatbardh Licit, GJKKO lë në burg, Safet e Behar Bajri! Pas hekurave edhe Asmer Bilali
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Safet Bajri, Behar Bajri dhe Asmer Bilali. Sipas GJKKO, tre personat e arrestuar janë fajtor për vrasjen e Fatbardh Licit të ndodhur në vitin 2018.
Safet Bajri, një personazh i dyshuar për përfshirjen në shumë ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Bajri u mor nga banesa e tij në Dobraç pa shfaqur rezistencë, ku iu tha se duhej të jepte deklarime në policinë e Shkodrës. Me të mbërritur atje ai është marrë nga forcat RENEA, pasi iu komunikua se deklarimet do i bënte në Tiranë.
Në Drejtorinë Tiranës, Bajrit iu njoftua masa “arrest me burg”. Pas deklarimeve, Safet Bajri është shoqëruar në paraburgim në Bllokun e Sigurisë “Mine Peza”. Avokati i Bajrit pohoi se për herë të dytë kërkohet marrja e ADN-së së klientit të tij.
Burimet bëjnë me dije se urdhërarresti për Safet Bajrin është dhënë për vrasjen e Fatbardh Licit në 2018, megjithatë ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga SPAK. Lici u ekzekutua me breshëri automatiku teksa po konsumonte kafen në një lokal të Shkodrës.
Emri i Safet Bajrit është gjithashtu i lakuar në ngjarjet e fundit në Shkodër, në përplasjen me armë në Bushat dhe në masakrën e Dobraçit, dosje që po hetohen nga SPAK-u.
Masa e arrestit për Behar Bajrin dhe Asmer Bilalin u është komunikuar në burg, ku ata ndodhen nën arrest lidhur me dosjen “Metamorfoza”.