Akuzat për draftin e Asociacionit, Rama: Ata që shajnë, kanë frikë se…


Kryeministri, Edi Rama ka reaguar për kritikat dhe akuzat e bëra ndaj draftit të Asociacionit që prezantoi ditën e djeshme për komunat në veri të Kosovës. Nëpërmjet një reagimi të bërë në tëitter, Rama duke u përgjigjur ndaj kritikëve shkruan se këta të fundit kanë frikën se mund të humbasin armikun që u krijon kushtet që të sillen në këtë mënyrë si të jenë në luftë.

“Ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur fare çka përmban draft-Statuti i Asociacionit kanë frikë vetëm nga një gjë: Se mos humbasin armikun që u krijon kushtin ekzistencial që të flasin dhe të sillen si në llogore, ndërkohë që lufta ka mbaruar në 1999 dhe armiku është mundur!”- shkruan Rama.

Të enjten, Rama prezantoi drafin-statutin për Asociacionin të komunave në veri të Kosovës duke përmendur si pikë kryesore ribërjen e zgjedhjeve. Deri më tani, nuk është bërë publike asnjë pikë e draftit që siç bëri me dije Rama, do të jetë në tryezën e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Ky propozim i bërë nga Rama është kundërshtuar nga opozita, duke e cilësuar si veprim të njëanshëm që mund të acarojë më shumë situatën.
Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se nuk është i nevojshëm një propozim alternativ për Asociacionin. Nga ana tjetër, zyrtarë të Vetëvendosjes në Kosovë e kanë cilësuar si një veprim për të cilin Rama duhet të ishte konsultuar më së pari me Kurtin.