Akuza për zgjedhjet e 11 majit/ Berisha: 350 kuti votimi janë marrë nga magazinat e KQZ pa asnjë dokument

Në një konferencë për mediat  kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha lëshoi akuza në lidhje me procesin zgjedhor të 11 majit 2025, të cilin e cilësoi si groposje dhe një farsë elektorale që  sipas tij, ka shkatërruar themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

“Për një shoqëri, groposja e zgjedhjeve si proces demokratik, shndërrimi i tyre në farsë elektorale, është de facto dhe de jure varrosje e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe demokracisë së atij vendi”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha ngriti disa pyetje ndaj kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, në lidhje me lëvizjen e 350 kutive të votimit.

“A janë marrë 350 kuti votimi më 12 apo 13 prill nga magazinat e KQZ-së në Farkë? A ka firmosur Celibashi për dorëzimin e tyre te persona të caktuar? A ka dijeni për marrjen e tyre pa asnjë dokument dhe transportimin në një ambient të administruar nga një ish-deputet socialist?”, ishin disa prej pyetjeve që Berisha kërkoi t’u jepet përgjigje.