Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama në ‘Sy m’sy’: 70% e trotuarit të jetë e lirë për qytetarët
Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij “Sy m’sy”, tha se duhet krijuar një vijë e padukshme që 70% e hapësirave të jenë për qytetarët dhe 30% për bizneset.
“Nuk do të shkojmë në ekstreme të kësaj natyre dhe do të arrijmë të krijojmë një vijë të padukshme por të pranuar nga të gjithë ku 70%, parimisht, se mund të jetë 65, 80%, 70% e trotuarit të jetë e lirë për njerëzit dhe 30% për karriget e shërbimin jashtë. Si të gjitha vendet mesdhetare është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë. Por nga ana tjetër, ajo që është e shëmtuar është që këto shërbime të kthehen në zaptime, presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën e vet normale të jetës. Sa i përket teorisë të turistëve është teori kot, që nuk ka vlerë.
Kush ishte qeveria që e lejoi këtë zaptim? Nuk është qeveria që merret me karriget dhe tavolinat. Jemi në kushtet e një mobilizimi për t’u dhënë një përgjigje shteruese shqetësimit të qytëetarëve të panumërt në qytete të mëdha, të vënë re gjatë fushatës, për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, cadrave, barrikadave. Nga ana tjetër, u morën taksat. Shpresoj të jenë marrë taksat për çdo metër katror zaptuar. Do të ishte gjysma e së keqes, që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë.”, u shpreh Rama.