Policia e Shtetit ka dalë në një njoftim zyrtar lidhur me aksionin kundër mashtrimit ekonomik të zhvilluar në Tiranë dhe Shkodër, ku janë ekzekutuar 17 urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata e Tiranës.
Gjashtë nga masat e sigurisë mësohet se janë pronarë “exchange”, që këmbenin kriptomonedhat në bizneset e tyre.
Personat e tjerë janë bashkëpunëtorë që reklamonin aktivitetin në rrjetet sociale. Autoritetet dyshojnë se kemi të bëjmë me pastrim parash. Aktiviteti i tyre është kryer nëpërmjet agjenteve të infiltruar.
NJOFTIMI I POLICISE:
Në përgjigjje të interesit të medias, mbi një operacion policor, aktualisht në zhvillim, ju sqarojmë se: Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”.
Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSh-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër. Në cilesinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash.
Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët.