Aksion pastrimi në Vlorë, Dredha: Ta shohim qytetin me syrin e turistit! Rama rikthehet sërish për inspektim
Qyteti bregdetar i Vlorës është zgjuar sot me një aksion të gjerë pastrimi, që synon jo vetëm përmirësimin e imazhit të qytetit në prag të pikut të sezonit turistik, por edhe zgjidhjen e problematikave të akumuluara ndër vite në disa prej zonave më të ndjeshme mjedisore.
Në terren kanë qenë të pranishëm vetë Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, si dhe deputetët e zgjedhur të qarkut, të cilët kanë ndjekur nga afër punën e strukturave vendore dhe qendrore të angazhuara në këtë nismë.
Ky aksion është pjesë e operacionit të ndërmarrë nga Task-Forca e krijuar pak javë më parë, me qëllim garantimin e pastërtisë, lirimin e hapësirave publike dhe rikthimin e standardeve të munguara në disa zona të qytetit. Nisma vjen pas urdhrit të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë vizitës së fundit në Vlorë kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problematikave të evidentuara, sidomos në zonat turistike dhe ato të zaptuara prej vitesh në mënyrë të paligjshme.
Në fokus të aksionit të sotëm kanë qenë Pylli i Sodës, një nga hapësirat e gjelbra më të rëndësishme të Vlorës, e cila prej kohësh është kthyer në një problem serioz për shkak të ndotjes dhe mungesës së mirëmbajtjes, si dhe Lungomare, zona turistike më e frekuentuar e qytetit, e cila çdo ditë pret qindra pushues vendas dhe të huaj.
Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, theksoi se puna për transformimin e qytetit do të vijojë pa ndërprerje, ndërsa paralajmëroi masa të rrepta ndaj çdo subjekti apo individi që cenon mjedisin apo zaptimet e hapësirave publike.
Burime pranë institucioneve vendore bëjnë me dije se ditën e nesërme, të hënën, pritet rikthimi i Kryeministrit Edi Rama në Vlorë, i cili do të ndjekë nga afër ecurinë e zbatimit të porosive të dhëna, si dhe do të inspektojë zonat ku janë raportuar problematika më të theksuara.
Aksioni i sotëm konsiderohet si një mesazh i qartë për të gjithë aktorët lokalë, bizneset dhe qytetarët që të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit dhe të hapësirave publike, ndërkohë që autoritetet paralajmërojnë se ndërhyrje të ngjashme do të ketë në vijim në të gjithë territorin e Vlorës, me synim krijimin e një ambienti sa më të pastër, të rregullt dhe mikpritës për pushuesit dhe qytetarët.
View this post on Instagram