Policia Rrugore e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë, ka intensifikuar kontrollet për të eliminuar pengesat artificiale që ndikojnë në lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve në kryeqytet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe ato të Policisë Rrugore kanë shtuar monitorimet në rrugët e brendshme të Tiranës, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që krijojnë pengesa për qarkullimin normal, sidomos për shkak të parkimeve të gabuara, të cilat shkaktojnë trafik të rënduar.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë spostuar me mjet ngritës 15 automjete në zona të ndryshme të qytetit, duke çuar në 65 numrin total të automjeteve të bllokuara dhe të dërguara në pikën e ruajtjes së Policisë Rrugore.
Policia ka paralajmëruar se do të vijojë me masa të rrepta në të gjithë territorin e Tiranës për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur bllokimet e rrugëve.
Në një apel të drejtpërdrejtë për drejtuesit e mjeteve, Policia Rrugore kërkon respektimin e sinjalistikës rrugore dhe shmangien e parkimeve në vende të ndaluara, pasi çdo automjet që do të konstatohet në shkelje do të zhvendoset me mjet ngritës dhe do të dërgohet në pikën e ruajtjes.