Aksion në terren për lirimin e hapësirave publike në Vlorë, Ermal Dredha dhe Elidon Çela në drejtim të operacionit

Në qytetin e Vlorës ka nisur një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme prej vitesh, në zbatim të porosive të lëna nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së fundit në qytetin bregdetar.

Task Forca për lirimin e hapësirave publike ka dalë në terren, me pjesëmarrjen e kryetarit të bashkisë Ermal Dredha, strukturave të bashkisë dhe Policisë Bashkiake të Vlorës, të mbështetur nga forcat e Policisë së Shtetit nën drejtimin e drejtorit të Policisë së Qarkut Elidon Çela, si dhe nga forcat e FNSH Fier.

Operacioni është përqendruar fillimisht në zonën e Lungomares, duke goditur parkimet e paligjshme dhe pushtimet në rrugë apo trotuare, por synon të shtrihet në të gjithë qytetin e Vlorës. Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, deklaroi se ky aksion nuk do të jetë sporadik, por do të zhvillohet çdo ditë deri në rikthimin e hapësirave publike për qytetarët.

Kryebashkiaku Dredha komentoi gjithashtu dorëheqjet e fundit në institucionet në varësi të Bashkisë së Vlorës, duke theksuar se ato janë kërkuar më herët për shkak të mungesës së angazhimit maksimal.

Ai paralajmëroi vlerësime të rrepta për punën e çdo drejtuesi dhe zëvendësime me emra të rinj që do të jenë më të përkushtuar ndaj qytetit dhe zgjidhjes së problematikave të qytetarëve.