Vlorë/ Aksion ndërgjegjësimi për një qytet më të pastër
Prej dy ditësh, Task Forca e ngritur në Vlorë vijon punën për lirimin e të gjitha hapësirave publike në qytet. Gjatë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit janë larguar të gjitha mjetet që kishin zënë hapësira të caktuara në Vlorë.
Ndërkohë, gjatë orëve të para të ditës së diel është vijuar me aksionin e pastrimit, duke u fokusuar në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës, kryesisht në pyllin e Sodës.
Në aksionin e pastrimit kanë marrë pjesë të gjitha institucionet në varësi të Bashkisë Vlorë. Aksioni është ndjekur nga afër edhe nga deputeti dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, si dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.
Vetë kryebashkiaku i Vlorës ka konfirmuar se ky është një aksion ndërgjegjësimi për një qytet më të pastër dhe se do të vijojë e do të shtrihet në të gjithë qytetin.
Gjithçka zhvillohet edhe në kuadër të punës që vijon jo vetëm për pastrimin, por edhe për lirimin e hapësirave publike, të cilat duhet të jenë në shërbim të qytetarëve.
Dredha ka theksuar se nuk do të ketë pushim për punonjësit, pasi qëllimi është angazhimi maksimal për një sezon turistik sa më cilësor.
Pylli i Sodës, një nga zonat më të rëndësishme në Vlorë, por edhe ambiente të tjera brenda qytetit, kanë qenë sot në fokus të aksionit të pastrimit, kjo edhe në kuadër të ndërgjegjësimit qytetar për një Vlorë më të pastër.