Aksion kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë, urdhër-arreste për 16 punonjës të OSHEE në Gjirokastër
Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka ndërmarrë një aksion për goditjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, duke ekzekutuar urdhër-arreste për 16 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Burime nga autoritetet bëjnë me dije se të ndaluarit janë punonjës të sektorit teknik dhe akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë favorizuar lidhjet e paligjshme të energjisë në rajonin e Gjirokastrës.
Operacioni është ende në vijim dhe hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht skemën e abuzimit. Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga policia apo prokuroria në lidhje me emrat dhe rolin konkret të të ndaluarve.