Aksion i BKH dhe FNSH në Shkodër dhe Fier me urdhër të SPAK, ndalohen disa persona për krime zgjedhore
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), forcat operacionale dhe FNSH kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në Shkodër dhe Fier me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku deri tani janë ndaluar disa persona të dyshuar për krime zgjedhore.
Sipas burimeve, në Koplik janë shoqëruar deri tani katër persona që dyshohet se janë mbështetës të Partisë Socialdemokrate. Aksioni përfshin kontrolle personale dhe të automjeteve me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe është ende në zhvillim.
Në Fier, aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me policinë vendore në kuadër të një tjetër procedimi penal, ndërsa kontrollet po vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara të personave të përfshirë.