Aksion anti-opozitar në Turqi, arrestohen zyrtarë të CHP-së pas ndalimit të Imamoglu

Një valë arrestimesh ka goditur opozitën turke mëngjesin e sotëm, teksa autoritetet kanë ndërmarrë raundin e pestë të ndalimeve ndaj zyrtarëve të Partisë Republikane Popullore (CHP), forcës kryesore opozitare në vend.

Prokuroria e Stambollit ka lëshuar urdhër-arreste për 47 persona, përfshirë pesë kryetarë bashkish rajonale – tre në Stamboll dhe dy në Adana – si dhe një ish-deputet të CHP-së. Sipas raportimeve nga mediat turke, deri në orën 10:00 të mëngjesit janë arrestuar 30 prej të dyshuarve.

Kjo lëvizje vjen pas ndalimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, një prej figurave më të rëndësishme të opozitës turke dhe rival i mundshëm i presidentit Erdogan në të ardhmen.

Lidhur me këto zhvillime, strukturat e Partisë Republikane Popullore në Stamboll kanë zhvilluar një takim urgjent për të diskutuar situatën dhe për të hartuar një reagim politik ndaj asaj që e cilësojnë si një aksion të motivuar politikisht.