Aksidenti tragjik në Shkodër-Hani i Hotit ku ndërroi jetë 57-vjeçari dhe u plagosën bashkëshortja dhe vajza – arrestohet shoferi i ambulancës

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në aksin Shkodër-Hani i Hotit, ku një parakalim i gabuar ka rezultuar fatal për një familje. 57-vjeçari A.K. humbi jetën, ndërsa bashkëshortja dhe vajza e tij mbetën të plagosura.

Sipas Policisë, drejtuesi i ambulancës së Spitalit të Koplikut, P.S., 65 vjeç, ka kryer një manovër të rrezikshme duke shkaktuar përplasjen fatale me automjetin e A.K.. Për pasojë, A.K. ndërroi jetë, ndërsa bashkëshortja e tij, S.K., 43 vjeçe, dhe vajza D.K., 18 vjeçe, mbetën të plagosura dhe ndodhen në Spitalin Rajonal të Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka arrestuar shoferin e ambulancës, i cili akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.