Aksidenti i rëndë në uzinën “Albchrome” Elbasan, ku u plagos mekaniku, ndalohen tre përgjegjës të sigurisë (EMRAT)
Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në uzinën “Albchrome” në Elbasan, ku një mekanik i uzinës është plagosur rëndë gjatë orarit të punës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:15 në repartin e copëtimit të ferrokromit, në zonën industriale të Paprit.
I plagosuri është identifikuar si Rubin Meçja, i cili në momentin e ngjarjes po kryente një proces teknik së bashku me një grup kolegësh profesionistë, për ndërrimin e pllakave të copëtimit të ferrokromit – një procedurë rutinë që zhvillohet herë pas here në uzinë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, Meçja ka qenë poshtë një pllake të madhe të copëtuesit kur është goditur fuqishëm nga agregati i saj në shpatull dhe në shtyllën kurrizore, duke marrë dëmtime të rënda fizike. Aktualisht ai ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.
Për këtë ngjarje, janë ndaluar tre persona nga policia me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Bëhet fjalë për:
-Rexhep Xhardja – inxhinier i procesit të punës në turn
-Myslym Hoxha – brigadier mekanik
-Fatjon Ikonomi – inxhinier mekanik