Tirana ka mbi 20 linja autobuzi që nga më të rrahurat ajo e “Unazës”, “Kombinat-Kinostudio”, “Unaza e Re” e deri te linjat që lidhin qendrën me periferitë si linja e “Kamzës”, linja e “Laprakës” e kështu me rradhë. Sipas statistikave transporti publik në kryeqytet përdoret çdo ditë nga rreth 200 mijë pasagjerë. Por të udhëtosh me autobuzat e këtyre linjave do të thotë të jesh i përgatitur për t’u përballur me çdo gjë, deri edhe me mundësinë e aksidenteve të rënda. Të gjithë e mbajmë mend “instalacionin” me autobuzin e Linjës së Unazës, kur thuajse një vit më parë, pas një përplasjeje me një tjetër mjet, ai përfundoi në lumin Lanë. Fatmirësisht, pa pasoja të rënda për pasagjerët, edhe pse, ata, zor se do ta harrojnë këtë ngjarje tronditëse.
Aksidentet
Ky ishte aksidenti me pasojat më spektakolare, nëse do ta quanim të tillë, por as i pari, as i fundit, fatkeqësisht në rrugët e kryeqytetit. Madje aksidente të tilla, ditën për diell, janë bërë të zakonshëm. Vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur disa ta tillë. I fundit ishte ai i ditës së djeshme në Tiranë si pasojë e të cilit u plagosën 7 persona. Duket se shoferi i autobuzit ka humbur kontrrollin në një moment. Edhe pse ende nuk ka një konkluzon përfundimtar për shkakun e aksidentit, dyshohet se mund të mos ketë funksionuar si duhet sistemi i frenimit. Më i rëndi konsiderohet ai i 27 shkurtit, kur një autobus i linjës së “Unazës”, në Tiranë u përplas me disa automjete. Aksidenti në të cilin u përfshinë 5 makina ndodhi pranë urës së ish-bllokut dhe si pasojë e tij mbetën të plagosur 9 qytetarë. Ndërsa më i fundit ishte ai i datës 2 mars, kur një tjetër autobuz u përplas me dy makina te kryqëzimi i ish-ekspozitës “Shqipëria e Re.” Ndërkaq ka edhe plot episode të përditshëm, që edhe pse mund të mos konsiderohen aksidente të mirëfillta, janë momente trazimi për pasagjerët e linjave urbane në kryeqytet.
Pyetjet pa përgjigjie
E ndërsa historia ka gjasa të vazhdojë, ndoshta me një episod të ri të rradhës, askush nuk duket se bën një analizë të situatës për të hetuar shkaqet e përfshirjes kaq të shpeshtë në aksidente të autobuzëve të “Unazës” dhe linjave të tjera në kryeqytet. Dhe pyetjet janë të shumta: A janë autobuzët difektozë? A u bëhet kontrolli si dhe kur duhet? A ka mangësi në trajnim dhe përgatitje nga ana e stafit? A ushtrohet kontroll ndaj shoferëve dhe a po punojnë ata me orare ta zgjatura? A janë autobuzët e linjave të duhurit për nga përmasat për të lëvizur lirshëm në rrugët e kryeqytetit plot trafik dhe shpesh të ngushta?
I gjithë faji i shoferëve?
Kur ndodh një aksident automobilistik, të parët që përballen me akuzat dhe hetimet janë shoferët e automjeteve. Deri diku është e drejtë, sepse ata janë në timon, por sigurisht jo gjithmonë është faji i tyre. Ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në një aksident. Po le ta nisim me përgjegjësinë e shoferëve të autobuzëve. Edhe pse shpesh ata nuk rezultojnë të pirë, pas testit të alkoolit, që i bëhet pas aksidenteve, aksionet e befasishme që policia bën, herë pas here, për të parë gjendjen e drejtuesve të autobuzëve nxjerrin shumë problemtika, të cilat nëse do të analizoheshin dhe do të ndreqeshin mund të shmangnin shumë aksidente. Mjafton ti referohemi vetëm një kontrrolli të vitit 2021 të policisë së shtetit për të kuptuar situatën: 34 drejtues autobuzësh u konstatuan me shkelje të itenearit dhe destinacionit të përcaktuar në çertifikatën e transportit; 60 autobuzë kishin pasagjerë mbi kapacitetin e lejuar dhe 14 drejtues kishin probleme me alkoolin 2 nga të cilët në gjendje të dehur. I tillë është edhe rasti I 5 ditëve më parë kur një shofer i linjës së Laprakës u arrestua pasi u kap nga policia në gjendje të dehur. “Gjatë kryerjes së testit me aparatin alkool-testues, 57-vjeçari G. T. rezultoi se drejtonte autobusin i pirë.” Pyetja që shtrohet është – A ushtrohet një kontroll paraprak mbi këta drejtues autobuzash nga ana e operatorëve të linjave, apo duhet të jetë gjithmonë policia ajo që do të ndërhyjë?
Gjendja e autobuzëve
Ndëkohë ja cilat ishin gjetjet për mjetet – 21 autobuzë të transportit qytetas ishin të pa siguruar; 22 autobuzë të tjerë nuk e kishin kryer kontrrollin teknik. Ndoshta edhe fotoja e një viti më parë që u bë virale në rrjetet sociale ku dy burra po shtynin një autobuz, që kishte mbetur në mesin e rrugës, i përket një kategorie të tillë. Nuk dihet se çfarë u bë me gjetje të tilla, por numri i aksidenteve qartazi lë pak hapësirë për hamendësime. Gazetari Klodian Tomorri jep një vlerësim pesimist të situatës: “Kjo punë do të vazhdojë kështu. Një herë do thonë i ra të fikët shoferit. Një herë i preu rrugën Porsche. Derisa larg qoftë, ndonjë nga ata të bëjnë gjëmën me 200 veta brenda. Dhe i ka vajtur afër, jo pak herë. Pastaj do dalin këta si të pikëlluar nëpër televizor. Por ndërkohë nuk do i duhet askujt.”
Trafiku i rënduar
Sipas ekspertëve të pavarur të qarkullimit rrugor, një nga shkaqet e aksidenteve të shpeshtë të mjeteve, në përgjithësi, por edhe autobuzëve të linjave urbane në veçanti është fluksi i madh i makinave që qarkullojnë. Sipas Artur Sulçes, vetëm në një ditë hyjnë e dalin në kryeqytet 120 mijë makina. Ky fluks nuk mund të përballohet dot nga infrastruktura rrugore e Tiranës dhe në çdo moment, veçanërisht në orët e pikut është premisë për aksidente.
Centralizimi i shërbimit
Pjesa më e madhe janë autobuzë të flotës “Green Line”, të cilët kryejnë transportin e qytetarëve të Tiranës përgjatë Unazës së Vogël. Ata u prezantuan rreth një viti më parë dhe kanë shkaktuar jo pak probleme. Sipas specialistëve një nga arsyet e problemeve me linjat e urbanëve në Tiranë është centralizimi i shërbimit në duart e pak operatorëve. Kjo mund të çojë në ulje të cilësisë së shërbimit dhe mosrespektim të të drejtave të qytetarëve. Pronarët e linjave të autobusëve urbanë në Tiranë, ndërkohë, nuk reshtin së kërkuari rritje të çmimit të biletës me pretendime absurde, por kur vjen puna te siguria dhe shërbimi çalojnë shumë. Në vitin 2016 kur u rrit çmimi i biletës nga 30 në 40 lekë u premtua cilësi dhe shpejtësi shërbimi. Duke mos i hyrë në këtë shkrim këtyre dy objektivave të premtuar, mjaftojnë vetëm kronikat e aksidenteve të shpeshta të autobuzëve të këtyre linjave për të kuptuar se leku i biletës nuk justifikohet.