Aksidentet e autobusëve? Veliaj: Shkak janë bërë makinat…
Gjatë prezantimit të projektit për Linjën e Shpejtë të Autobusëve, ose ndryshe Bus Rapid Transit (BRT), kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur edhe për rastet e fundit të përfshirjes në aksident të autobusëve. Duke analizuar shkaqet, por dhe faktin e shtimit të numrit të tyre në Tiranë, pothuajse 4-fish krahasuar me më parë, Veliaj tha se në shumicën e tyre aksidentin e ka shkaktuar një makinë dhe jo autobusi.
“Nga 100 autobusë që kishim 8 vjet më parë, sot në Tiranë qarkullojnë 420 autobusë. Vetëm 4-fishimi i flotës së tyre do të thotë se ka më shumë mjete në rrugë. Kur dikush pyet se çfarë po ndodh me aksidentet me autobusë duhet të kuptojë se siç janë shtuar Mercedesët, janë shtuar edhe autobusët. Kur kishim 100 mjete dhe autobusi vinte një herë në 37 minuta, probabiliteti që të kishte aksidente ishte më i vogël. Kur autobusët janë shtuar në numër dhe tani vijnë në stacion çdo 7 minuta, frekuenca që të takosh të ngjashmit, pra mjete të tjera motorike, sigurisht është më e madhe. Kam analizuar 7 aksidentet e fundit dhe në 5 raste ka qenë një makinë, e cila i ka hyrë në brinjë autobusit, pra nga padurimi për të dalë nga kthesa godet autobusin”, tha ai.