Aksident tragjik në Kosovë! Treni përplaset me makinë, një i vdekur dhe tre të plagosur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Jagodë, në komunën e Klinës, ku një tren është përplasur me një makinë, duke shkaktuar një viktimë dhe tre persona të plagosur.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha për Telegrafin se aksidenti ndodhi rreth orës 12:35. Sipas tij, menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendngjarje mbërritën njësitë policore, zjarrfikësit dhe autoambulanca.
“Mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes konstatoi vdekjen e një personi, ndërsa tre të tjerë u transportuan në gjendje të plagosur në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për trajtim mjekësor”, tha Gashi.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe hetuesit e njësisë së trafikut, të cilët kanë nisur ekspertizën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Po ashtu është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të ndjekë nga afër hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë për tragjedinë.