Aksident tragjik në Iran, autobusi del nga rruga dhe përmbyset – 21 viktima dhe 25 të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Iran, ku një autobus me pasagjerë është përmbysur në një rrugë malore pranë qytetit Kavar, në jug të vendit, duke shkaktuar të paktën 21 viktima dhe 25 të plagosur, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ka ndodhur në një zonë me terren të vështirë, rreth 1,000 kilometra nga kryeqyteti Teheran, ku rrugët janë të ngushta dhe shpeshherë bëhen skenë aksidentesh fatale.

Drejtori i spitalit të Kavarit, Mohsen Afrasiabi, deklaroi për televizionin shtetëror:

“Fatkeqësisht, janë regjistruar 21 viktima. Ndër të plagosurit ka disa që janë në gjendje kritike për jetën.”

Ende nuk është zbardhur shkaku i saktë i përmbysjes së autobusit, ndërkohë që autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes.