Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Athinë, me një përplasje të rëndë mes tre makinave dhe një motoçiklete.
Sipas informacioneve, ka dy të vdekur dhe dy të plagosur. Viktima mbetën Kristi Manthio dhe Manolis Sarandis, 24 dhe 25 vjeç, ku njëri prej tyre dyshohet të jetë shqiptar. Nga të plagosurit gjendja e njërit cilësohet si e rëndë por nën kontroll, ndërsa e dyta është plagosur lehtë.
Të njëjtat informacione thonë se në bazë të vlerësimit të parë, të dy të vdekurit dhe dy të plagosurit vijnë nga e njëjta makinë. Një nga mjetet ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe (mbi 180 km/h).
Shoferi i tij, i cili ka mbetur i vdekur, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mjete të tjera, ndërsa nga forca e përplasjes një automjet është përgjysmuar, pjesa tjetër është shndërruar në një masë hekuri pa formë, si dhe janë shkulur palma.
Në vendngjarje kanë shkuar dy autoambulanca si dhe mjetet e zjarrfikësve të cilët kanë nxjerrë personat.