Aksident tragjik në Gjermani, autobusi me 13 pasagjerë përplaset, dy të vdekur dhe disa të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur të shtunën në verilindje të Gjermanisë, duke shkaktuar dy viktima dhe disa të plagosur. Incidenti ndodhi në një dalje nga autostrada A11, afër qytetit Prenzlau, rreth 100 kilometra në veri të Berlinit.

Një autobusi i Flixbus, i cili udhëtonte nga Berlini në Poloni, u përfshi në aksident dhe përplasja ka lënë të vdekur një grua 29-vjeçare dhe një burrë 48-vjeçar. Katër pasagjerë të tjerë kanë pësuar plagë të rënda, ndërsa shtatë të tjerë kanë marrë dëmtime të lehta.

Policia e Brandenburgut ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur gjatë kushteve dimërore, por ende nuk dihet shkaku i saktë i përplasjes. Nuk besohet se ka pasur përfshirje të mjeteve të tjera në incident. Autobusi, i cili ishte në udhëtim me 13 pasagjerë dhe një shofer, ishte në një udhëtim nga Berlini në qytetin Szczecin në Poloni, një distancë prej rreth 150 kilometrash.

Autoritetet gjermane po vijojnë hetimet për të zbardhur tërësisht rrethanat e aksidentit dhe për të ofruar ndihmën e duhur për të plagosurit.