Aksident para Ministrisë së Jashtme, përplaset nga makina një punonjës i institucionit – Ministri Hasani tregon si është gjendja e tij

Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme (16 prill) përpara godinës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku një punonjës i këtij institucioni është përplasur nga një automjet në momentin që po kalonte rrugën.

Lajmi është konfirmuar nga vetë ministri Igli Hasani, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale njoftoi se kolegu i tij është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Reagimi i Igli Hasanit

Shpreh mirënjohjen time për Urgjencën Kombëtare, Spitalin e Traumës dhe Policinë e Shtetit për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar në reagimin ndaj aksidentit të ndodhur pak orë më parë, ku një koleg i yni u përplas nga një automjet ndërsa po kalonte rrugën pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ndërkohë që autoritetet përkatëse po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, dëshiroj të informoj se kolegu ynë është jashtë rrezikut për jetën, në gjendje stabël dhe nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës.