Aksident në Peshkopi/ Makina përplaset me dyqan, plagoset një efektiv policie – shoferi ishte nën efektin e alkoolit
Një aksident rrugor i rëndë është regjistruar pasditen e djeshme në qytetin e Peshkopisë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një dyqan, duke lënë të plagosur një efektiv policie.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30, në kryqëzimin Velia. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Dibrës, drejtuesi i mjetit tip “Golf”, shtetasi A.Sh., 27 vjeç, dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit kur humbi kontrollin e makinës.
Përplasja e fortë ka shkaktuar dëmtime tek punonjësi i policisë, shtetasi V.Gj., i cili ndodhej në krye të detyrës pranë zonës së aksidentit. Ai është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit në komisariat, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.