Aksident në Greqi, përplasen dy autobusë urbanë në Athinë – 32 të plagosur, mes tyre 12 fëmijë

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë të premte në kryeqytetin grek, Athinë, ku dy autobusë urbanë janë përplasur mes tyre duke shkaktuar panik dhe lëndime tek pasagjerët.

Sipas raportimeve nga mediat greke, si pasojë e përplasjes janë plagosur 32 persona, ndër ta 12 të mitur. Fatmirësisht, të gjitha raportimet fillestare konfirmojnë se asnjë prej të lënduarve nuk është në rrezik për jetën.

Autoritetet greke kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, që deri më tani mbeten të paqarta. Ekipet e emergjencës dhe policia kanë ndihmuar në evakuimin dhe transportimin e të plagosurve drejt spitaleve më të afërta.