Aksident në Elbasan/ Makina përplas biçikletën, dy të mitur dërgohen në spital

Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Elbasan, ku një automjet ka përplasur një biçikletë me dy të mitur, 14 dhe 16 vjeç, që lëviznin së bashku. Ngjarja ka ndodhur në një segment të amortizuar dhe të pandriçuar të një rruge rurale.

Sipas burimeve, mjeti tip Fiat, i drejtuar nga 21-vjeçari Gerald Dashamir Sollaku, banues në fshatin Gjergjan, ka përplasur biçikletën e drejtuar nga 14-vjeçari Franko Nergjoni, banor i fshatit Bujqës. Në biçikletë ndodhej edhe 16-vjeçari Egil Moli, gjithashtu banor i të njëjtit fshat.

Si pasojë e përplasjes, të dy adoleshentët kanë përfunduar jashtë rruge dhe janë transportuar menjëherë në repartin e kirurgjisë të Spitalit Rajonal të Elbasanit. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse njëri prej tyre ka pësuar dëmtime më serioze.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Kushtet e vështira të rrugës dhe mungesa e sinjalistikës mund të kenë ndikuar në ndodhinë e kësaj ngjarjeje.