Një aksident rrugor ka ndodhur këtë të mërkurë në aksin Korçë-Maliq, pranë kryqëzimit të fshatit Bulgarec, duke lënë tre persona të plagosur. Sipas burimeve të policisë rrugore, një veturë e vogël ka dalë papritur nga një rrugë dytësore në aksin kryesor. Për të shmangur përplasjen, një kamion që udhëtonte në drejtim të Maliqit ka devijuar drejt krahut tjetër të rrugës, çka ka shkaktuar përplasjen e tij me një automjet tjetër që po lëvizte në drejtim të kundërt.
Si pasojë e përplasjes, të dy mjetet përfunduan në kanal, duke shkaktuar tre të plagosur. Të dëmtuarit u dërguan menjëherë në spitalin e Korçës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, policia po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti.