Aksident i rëndë pranë Fushë-Mamurrasit, plagoset rëndë një grua

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në autostradën Milot–Thumanë, pranë zonës së Fushë-Mamurrasit, ku një automjet ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal anësor.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se drejtuesja e automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke shkaktuar daljen nga rruga. Si pasojë, ajo ka mbetur e plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Ende nuk dihet gjendja e saktë shëndetësore e të lënduarës.