Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Shijak të Durrësit. Mësohet se si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë një person, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Dyshohet se viktima po qarkullonte me biçikletë gjatë momentit kur është përplasur për vdekje nga automjeti. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar drejtuesin e makinës.
Shijak/Informacion paraprak
Rreth orës 19:15, në fshatin Rreth, Shijak, një automjet me drejtues shtetasin N. D., 31 vjeç, ka përplasur shtetasin H. H., 32 vjeç, i cili udhëtonte me biçikletë, ku si pasojë e përplasjes ka humbur jetën.
Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendngjarja.
Shërbimet e Policisë Shijak, pas marrjes së njoftimit, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe informacioneve bënë të mundur lokalizimi dhe kapja e autorit, bllokimin e automjetit dhe shoqërimin në ambientet e Komisariatit të Policisë Shijak, të shtetasit N. D., 31 vjeç, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të shkakut të aksidentit.