Aksident i rëndë në aksin Lezhë–Shkodër, taksia përplaset me kamionin e mbeturinave – Shoferi në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pak pas mesnate në aksin Lezhë–Shkodër, pranë degëzimit të parë në hyrje të qytetit të Lezhës. Një automjet taksi është përplasur me një kamion që shërben për mbledhjen e mbeturinave në zonë.

Përplasja ka qenë e fortë, duke lënë të plagosur rëndë shoferin e taksisë, i cili mbeti i bllokuar brenda automjetit. Ai është nxjerrë nga mjeti me ndihmën e shërbimeve të emergjencës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti. Po mblidhen prova materiale për të përcaktuar shkaqet që çuan në përplasjen e rëndë.