Aksident i rëndë hekurudhor në Bullgari! Përplasen dy trena, 2 të vdekur dhe 6 të plagosur

Një aksident tragjik hekurudhor ka ndodhur pasditen e sotme në periferi të Kremikovtsi, pranë kryeqytetit të Bullgarisë, Sofje. Përplasja mes dy trenave mallrash ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve.

Sipas mediave bullgare, aksidenti ndodhi rreth orës 16:00, ku pas përplasjes në një nga trenat shpërtheu zjarr, i cili u shua me shpejtësi nga ekipet e emergjencës. Në trenat e përfshirë në aksident ndodheshin gjithsej tetë persona.

Lyubomir Nikolov, kreu i departamentit të punëve të brendshme në Bullgari, deklaroi se trenat po lëviznin në të njëjtën linjë, gjë që dyshohet të jetë pasojë e një gabimi në menaxhimin e trafikut. Njëri tren po transportonte metale, ndërsa tjetri mobilje.

Autoritetet po hetojnë për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit, ndërsa familjet e viktimave dhe të plagosurve po marrin mbështetje. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka vënë në pikëpyetje sigurinë e rrjetit hekurudhor në vend.