Aksident i rëndë/ Automjeti del nga rruga dhe përplaset me një shtyllë betoni, ndërron jetë 15-vjeçari, plagosen dy të mitur të tjerë
Një aksident tragjik është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Pejë, ku një makinë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë betoni, për pasojë ka humbur jetën një i mitur.
Viktima, një 15-vjeçar me inicialet M.N., nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe dy të mitur të tjerë që ndodheshin në automjet– përfshirë shoferin e mjetit – të cilët po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk dihet.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar rastin.
“Rreth orës 00:02 kemi marrë njoftimin për një vetaksident në fshatin Treboviç. Vetura ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë betoni. Tre persona pësuan lëndime, ku fatkeqësisht njëri prej tyre ndërroi jetë në vend. Dy të tjerët u dërguan fillimisht në emergjencën e Spitalit të Pejës dhe më pas në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm”, tha ai.