AKSHI sërish në “kolaps”, bllokohen çeljet e trashëgimive, noterët i drejtohen gjendjes civile

Prej vitesh, Autoriteti Kombëtar Shtetëror i Informacionit (AKSHI), ka qenë në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterisë në mënyrë që noterët të mund të tërhiqnin dokumentet që u duheshin me qëllim ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Një arritje kjo e reklamuar gjerësisht edhe nga qeveria se dokumentet që lëshohen nga zyrat e administratës, do të merreshin edhe nga noterët drejtpërdrejt në sistem. Prej disa javësh, noterë dhe qytetarë kanë kontaktuar me REPLIKË-n për të shprehur ankesat e tyre në lidhje me këto shërbime, që në jo pak raste edhe janë bllokuar. REPLIKË kontaktoi me disa noterë që veprojnë në Tiranë, të cilët na informuan se prej kohësh sistemi online i AKSHI-t për certifikatat historike nuk funksionon, njëlloj si me dokumentet e tjera dhe se ata detyrohen të dërgojnë kërkesa me email jashtë sistemit ( SQDNE), drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile ku kërkojnë certifikatat historike të qytetarëve në mënyrë që të vijojnë me çeljet e dëshmive të trashgimisë.

Një noter, i kontaktuar nga REPLIKE pranoi jashtë kamerave se sistemi online nuk punon ndërsa shpjegoi ecejaket.

Sistemi na ka lënë në baltë për çeljet e trashëgimisë. Qytetarët që i kërkojnë te ne, ne shkojmë te Gjendja Civile, e cila ku ngarkohet shërbimi online, detyrohemi të shkojmë fizikisht. Herë qëllon që na ndihmojnë dhe mbarojmë punë, herë të tjera jo”.-thotë ai.

Pra, natyrisht siç edhe mund të jemi mësuar, Drejtoria e Gjendjes Civile ose nuk kthen përgjigje, ose kthen përgjigje pa përgjigje, ose kthen përgjigje jashtë afatit. Në fund, i vetmi që penalizohet është qytetari, të cilit e vetmja gjë që i ka mbetur është premtimi për “shërbime online”. Rrugët janë dy, ose të marrin shërbim me metoda alternative (ryshfet dhe miqësi), ose të përballen me mungesën e shërbimit./REPLIKË