Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të GJKKO-së, i cili legjitimoi kontrollet në bizneset e saj dhe sekuestrimin e telefonit celular.
Kontrolli në zyrat e kompanisë së Ajola Xoxës u krye më 14 janar nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), këto veprime ishin pjesë e një procedimi penal në vazhdim.
Gjatë kontrollit në një apartament të përshtatur si magazinë në Sky Tower, hetuesit sekuestruan disa dokumente dhe pajisje elektronike, që aktualisht po vlerësohen nga prokurorët për të përcaktuar nëse mund të jenë prova të vlefshme për hetimin.
Më 3 shkurt, Ajola Xoxa kundërshtoi në GJKKO këtë kontroll, duke kërkuar që të shpallet i paligjshëm. Avokatët e saj argumentuan se urdhri i kontrollit, i firmosur nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, nuk ishte i justifikuar dhe përbënte një shkelje procedurale.
Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së që e legjitimoi kontrollin dhe sekuestrimin e pajisjeve, Xoxa ka vendosur ta çojë çështjen në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rishikimin dhe shfuqizimin e vendimit. Hetimet nga SPAK vazhdojnë, ndërsa Prokuroria nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e procedimit penal.