Ajola Xoxa nën hetim nga SPAK/ 900 mijë euro shpenzime në veshje dhe bizhuteri, dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash
SPAK ka zbuluar një skemë të dyshimtë transaksionesh që lidhet me bashkëshorten e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa, e cila ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë. Sipas hetimeve, Xoxa ka shpenzuar një shumë marramendëse prej 900 mijë eurosh në bizhuteri dhe veshje luksoze gjatë një periudhe 4-vjeçare, duke bërë blerje kryesisht online.
Sipas SPAK, këto shpenzime dyshohet se janë financuar nga ryshfetet që 5 biznesmenë kanë paguar për të marrë leje ndërtimi dhe fonde publike. Shuma prej 86 milionë e 721 mijë e 175 lekësh nuk është deklaruar në asnjë nga deklaratat periodike të kryebashkiakut Veliaj, siç e kërkon ligji për personat e zgjedhur dhe të afërmit e tyre.
“Prokuroria e Posaçme ka prova të mjaftueshme që konfirmojnë blerjet e shumta të zonjës Xoxa në veshje dhe bizhuteri, të cilat nuk janë raportuar në deklaratat e pasurisë,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Ajola Xoxa akuzohet për disa vepra penale, përfshirë “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehje e pasurisë”. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se Xoxa ka qenë pjesë e bordit të një organizate jofitimprurëse që ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme, por as kjo nuk është deklaruar.