Seanca ndaj Ajola Xoxës, e cila ka ankimuar vendimin për bllokimin e llogarive bankare, është shtyrë sërish. Shkaku i kësaj shtyrjeje është legjitimimi i një avokati tjetër, i cili kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e rastit. Seanca e re do të zhvillohet ditën e nesërme.
Në seancën e së hënës, Gjykata kërkoi kohë për të shqyrtuar disa prova të reja të paraqitura nga SPAK, të cilat janë pjesë e hetimeve për burimet e parave të Xoxës. Ajola Xoxa argumenton se këto fonde janë të ligjshme dhe jo të dyshimta, siç ka pretenduar SPAK.
Gjykata e Posaçme për Krimet e Rënda (GJKKO) e ka lënë Xoxën nën masën e detyrimit për t’u paraqitur, ndërsa bashkëshorti i saj, Erion Veliaj, është lënë nën masën “arrest me burg”. Xoxa ka apeluar vendimin e Apelit të GJKKO-së që ka legjitimuar kontrollet në bizneset e saj dhe sekuestrimin e celularit të saj.
Ndërkohë, SPAK ka marrë autorizim për të kontrolluar telefonin e Xoxës, një veprim që ajo ka kundërshtuar në GJKKO, duke argumentuar se kontrolli i ushtruar në një apartament të Sky Tower është i paligjshëm, por ky vendim është mbështetur nga gjykata dhe Apeli i GJKKO-së.